Home » “Yee: Ballkani Perëndimor s’do të arrijë BE-në as për 30 vjet” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Yee: Ballkani Perëndimor s’do të arrijë BE-në as për 30 vjet” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

h1 a:hover {background-color:#888;color:#fff ! important;} div#emailbody table#itemcontentlist tr td div ul { list-style-type:square; padding-left:1em; } div#emailbody table#itemcontentlist tr td div blockquote { padding-left:6px; border-left: 6px solid #dadada; margin-left:1em; } div#emailbody table#itemcontentlist tr td div li { margin-bottom:1em; margin-left:1em; } table#itemcontentlist tr td a:link, table#itemcontentlist tr td a:visited, table#itemcontentlist tr td a:active, ul#summarylist li a { color:#000099; font-weight:bold; text-decoration:none; } img {border:none;}

“Yee: Ballkani Perëndimor s’do të arrijë BE-në as për 30 vjet” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

Yee: Ballkani Perëndimor s’do të arrijë BE-në as për 30 vjet Posted: 05 Jul 2017 10:04 AM PDT

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Britan Yee, vlerësoi se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të arrijnë mesataren ekonomike të Bashkimit Evropian as për 30 vjet. “Prioritet numër një duhet të jetë përparimi ekonomik. Shumica e vendeve të rajonit kanë rritje vjetore prej 3 ose 4%, por edhe me këtë rritje ose edhe me 6% nuk do të arrijnë mesataren e BE-së në tri dekadat e ardhshme”, tha Yee për javoren beogradase Nin. Ai tha se SHBA nuk e mbyll njërin sy ndaj politikanëve të korruptuar në Ballkan, porse për zgjedhjen e tyre përgjegjës janë qytetarët. Yee tha se një prej faktorëve më të rëndësishëm në Ballkan është bashkëpunimi me SHBA-në dhe BE-në, sepse kudo që është vepruar së bashku “ka pasur përparim”. “Përpiqemi që bashkë me partnerët tanë të arrijmë qëllimet e përbashkëta”, tha Yee, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë. Sipas tij, SHBA ka dëshmuar se dëshiron që vendet e Ballkanit të bëhen më të qëndrueshme, më të zhvilluara dhe më të sigurta. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Edhe dy kompani ajrore rikthejnë laptopët në bord Posted: 05 Jul 2017 09:44 AM PDT

Kompanitë ajrore Emirates dhe Turkish Airlines njoftuan se ndalimi i kompjuterëve laptopë në fluturimet drejt SHBA-së, nuk vlen më. Në muajin mars, Shtetet e Bashkuara i kanë ndaluar laptopët dhe pajisjet e tjera të mëdha elektronike në dhe nga disa vende me shumicë myslimane, nga frika se me to mund të kurdisen bomba. Emirates, e cila fluturon nga Dubai në SHBA, tha se ka punuar me autoritetet amerikane për rregulla të reja të sigurisë. Turkish Airlines tha po ashtu se pasagjerëve të saj që udhëtojnë drejt SHBA-së, do t’iu lejohen laptopët në bord. Javën e kaluar, ndalesa e laptopëve është hequr edhe për kompaninë Etihad, e cila realizon fluturime drejt SHBA-së nga Abu Dabi. Në fluturimet nga Katari, Maroku, Jordania, Egjipti, Arabia Saudite dhe Kuvajti vazhdon të aplikohet ndalesa e laptopëve. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Messi zgjat kontratën me Barcelonën Posted: 05 Jul 2017 08:57 AM PDT

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, u pajtua për vazhdimin e kontratës me këtë klub të futbollit deri në vitin 2021. “Klubi është shumë i lumtur me angazhimin e Messit, lojtarit më të mirë në histori”, tha ekipi i La Liga-s. Meesi, 30 vjeç, i është bashkuar Barçës prejse ka qenë 13 vjeç. Futbollisti argjentinas mban rekordin e klubit me 507 gola të shënuar në 583 ndeshje, qysh në vitin 2004. Ai po ashtu ka rekordin e La Liga-s me 349 gola. Messi aktualisht ndodhet në muajin e mjaltit, pasi, ditë më parë, është martuar me të dashurën e fëmijërisë, Antonela Roccuzzo. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Trump niset drejt Evropës Posted: 05 Jul 2017 08:17 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është nisur drejt Evropës. Turneu i tij do të përfshijë ndalesën në Varshavë, ku do të takojë liderë të Evropës qendrore dhe lindore. Shtëpa e Bardhë ka thënë se Trump do t’i inkurajojë këta zyrtarë, të cilët brengosen për varësinë e vendeve të tyre nga importet e gazit rus, që të përfitojnë nga gazi natyror i SHBA-së. Trump, të premten, do të takojë edhe presidentin rus, Vladimir Putin, në margjina të samitit të G20-ës (grupit të vendeve më të industrializuara) në Hamburg. Takimi i tyre zhvillohet në kohën kur marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë, për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, përzierjes së saj të dyshuar në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe çështjeve të tjera. Klikoni edhe këtu: Trump promovon gazin amerikan në Evropë This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Serbët e veriut shtojnë interesimin për dokumente të Kosovës Posted: 05 Jul 2017 07:53 AM PDT

Pas problemit të shfaqur lidhur me dokumentet serbe, të cilat për qytetarët serbë të Kosovës i lëshon Drejtoria koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, por që janë të pavlefshme dhe jolegale në Kosovë, zyrtarët e Drejtorisë së Administratës të Komunës së Mitrovicës së Veriut, thonë se është rritur numri i qytetarëve, të cilët i kanë dorëzuar kërkesat për dokumentet e Kosovës. Një prej këtyre qytetarëve është Ivana Petroniq nga Zveçani, e cila për shkak të problemeve me dokumentet serbe, ka vendosur të marrë dokumentet e Kosovës. “Ne më nuk mund të shkojmë askund, as në Maqedoni dhe për këtë shkak unë tashmë i kam hyrë kësaj procedure. Kam dorëzuar kërkesën për shtetësi, certifikatën nga libri amzë i të lindurve. Nuk kam pasur ndonjë problem të madh, marrë parasysh që unë kam lindur dhe kam jetuar këtu gjithë jetën. Shpresoj që nuk do të ketë probleme, sepse po paralajmërojnë se do ta ashpërsojnë regjimin për marrjen e shtetësisë. Është evidente se kemi arritur në pikën që duhet t’i kemi ato dokumente”, tha Petroniq për Radion Evropa e Lirë. Xhevdet Haxhiu, nga njësia e regjistrit civil e Komunës së Mitrovicës së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i atyre që kanë aplikuar për dokumente, në krahasim me 6 muaj ose 1 vit më parë, është rritur rreth 40 për qind. Sipas tij, çdo ditë janë rreth 10 qytetarë që dorëzojnë kërkesat për certifikata nga librat amzë dhe për shtetësinë. “Ata nuk i kanë numrat të lëshuar nga administrata e UNMIK-ut, nga organet e përkohshme dhe për shkak të atyre kritereve, të gjithë ata persona duhet të aplikojnë për marrjen e shtetësisë së Kosovës”, tha Haxhiu. Ai shtoi se kjo procedurë vlen për pjesëtarët e të gjitha bashkësive, qoftë të asaj shumicë apo të atyre pakicë. Sipas tij, koha dhe procedurat e gjata mbeten problem, për shkak se në qendrën për regjistrimin civil është numri i vogël i shërbyesve, ndërkohë që kërkesat janë rritur. “Përderisa para disa kohësh, procedura zgjaste rreth dhjetë ditë ose dy javë, tashmë prolongohet për pesë, gjashtë apo shtatë muaj”, theksoi Haxhiu. Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës në largim, Edita Tahiri, më herët pati thënë për Radion Evropa e Lirë se pasaportat e Drejtorisë koordinuese “asnjëherë nuk kanë qenë të vlefshme në Kosovë, sepse kanë qenë jolegale dhe se Drejtoria koordinuese është strukturë jolegale”. “Ne tashmë i kemi hapur zyrat tona të Regjistrimit civil në komunat në veri, në mënyrë që t’i furnizojmë qytetarët me pasaportat tona”, ka thënë Tahiri. Në një agjenci udhëtimi, autobusët e të cilit qarkullojnë në relacionin Novi Pazar – Shkup, kanë konfirmuar se edhe më tej kalimi përtej kufirit nuk është i mundur për qytetarët që i kanë pasaportat e lëshuara nga Drejtoria koordinuese, si dhe me letërnjoftimet, të cilat Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i lëshon për qytetarët e Kosovës. Milan Radojeviq, zëvendësministër i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës në largim, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ekziston asnjë vendim i Qeverisë ose Ministrisë së Brendshme që ato dokumente të jenë shpallur të pavlefshme për territorin e Kosovës. “Ministria për Dialog thirret në marrëveshjen për lëvizjen e lirë të vitit 2011, por ajo absolutisht nuk reflekton definimin se cilat dokumente janë të vlefshme ose jo. Ajo marrëveshje, në mënyrë ekskluzive definon mënyrën e kalimit të vijës administrative nga njëra dhe ana tjetër. Marrëveshja për lëvizjen e lirë e viti 2011, ashtu sikurse ajo e viti 2014 dhe kjo e fundit e vitit 2016, absolutisht nuk e definojnë e as nuk flasin për atë që këto dokumente, pasaportat e Drejtorisë koordinuese, letërnjoftimet, lejet e vozitjes, madje edhe pasaportat e lëshuara nga ana e drejtorive policore të zhvendosura nga territori i Kosovës, se janë të pavlefshme për territorin e Kosovës”, tha Radojeviq. I pyetur se në bazë të cilit vendim policët kufitar nuk i pranojnë këto dokumente dhe i kthejnë qytetarët, Radojeviq thotë se bëhet fjalë për instruksionet e Drejtorisë së policisë kufitare, me sugjerimin e Ministrisë për Dialog. Sipas tij, as policët në kufi nuk kanë argumente të mjaftueshme me të cilat do t’ua shpjegonin qytetarëve se pse duhet të kthehen në kufi dhe pse nuk mund të kalojnë me ato dokumente. “Përgjigjja se kjo po bëhet në përputhje me marrëveshjen e vitit 2011, është absolutisht e pamjaftueshme për qytetarët. Është e nevojshme të tregohet neni i ligjit që e ndalon këtë dhe e definon këtë në Kosovë. Por, një ligj i tillë nuk ekziston”, tha Radojeviq. Kur i ishte hequr regjimi i vizave, në vitin 2009, Serbia atëherë e kishte miratuar rregulloren, sipas të cilës, personave që kanë vendbanim në Kosovë, dokumentet e udhëtimit ua lëshonte Drejtoria koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Serbisë në Beograd. Kjo edhe figuron në ato pasaporta dhe për pronarët e tyre nuk ka vlejtur liberalizimi i vizave për shtetet e BE-së. Bartësit e atyre pasaportave, për viza i drejtoheshin ambasadave në Prishtinë dhe Beograd. Autor: Maja Fiçoviq  Përgatiti: Bekim Bislimi This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Diaspora synon investime për uljen e papunësisë në Kosovë Posted: 05 Jul 2017 07:02 AM PDT

Paratë dhe investimet e shumta që diaspora i dërgon te të afërmit dhe familjet e tyre në Kosovë duhet të marrin një orientim dhe fokus tjetër, thonë përfaqësues të Ministrisë së Diasporës në Qeverinë në largim të Kosovës. Shuma e remitencave (shuma e parave që dërgohen nga diaspora) që për çdo vit hyjnë në Kosovë, arrin shifrën mbi gjysmë miliardë euro, të cilat kryesisht janë shfrytëzuar për konsum familjar. Këto mjete, sipas projeksioneve të Qeverisë, mund të investohen në projekte të cilat do të gjeneronin vende të reja të punës. Naim Dedushaj, drejtor në Drejtorinë për investime të diasporës në Ministrinë e Diasporës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se për orientimin e këtyre mjeteve në investime janë zhvilluar takime me rreth 10 mijë përfaqësues të bizneseve të diasporës. “Dërgimi i remitencave ka ndihmuar Kosovën, ka ndihmuar familjet e tyre, por mendoj se tani ka ardhur koha për një formë tjetër të veprimit. Këto remitenca të shndërrohen jo vetëm në konsum, por edhe në investime. Kemi disa ide të ndryshme që do të zbatojmë menjëherë pas krijimit të Qeverisë së ardhshme”. “Shndërrimi i këtyre remitencave në investime apo në hapjen e bizneseve të vogla nuk do të jetë i vështirë sepse ne kemi bashkëbiseduar me Rrjetin e bizneseve të diasporës shqiptare, e cila është e shtrirë në 25 vende të botës dhe në katër kontinente me rreth 10 mijë afaristë”, thekson Dedushaj. Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra. Në raportin e fundit të Bankës Qendrore, ku paraqiten të dhënat për tre mujorin e parë të këtij vitit, remitencat e pranuara në Kosovë arritën vlerën prej 163.4 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 13.3 për qind. Bizneset nga diaspora, sipas Naim Dedushajt kanë gjetur forma të ndryshme për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe uljen e nivelit të papunësisë në Kosovë, e cila, bazuar në shifrat zyrtare, është rreth 28 për qind. “Jemi duke punuar në krijimin e disa kompanive që do të japin shërbime për bizneset e diasporës kudo që janë. Të rinjtë në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare do të japin shërbime të ndryshme, si për shembull krijimin e ueb faqeve, avokaturës, arkitekturës duke mos u larguar fare nga vendi i tyre, në këtë rast nga Kosova”, thekson Dedushaj. Sidoqoftë, ndërrimi i orientimit të këtyre mjeteve të diasporës nga konsumi në investimeve po konsiderohet mjaft i vështirë nga përfaqësues të bizneseve në Kosovë. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini tha për Radion Evropa e Lirë se politikat fiskale në Kosovë nuk janë në favor të duhur të bizneseve. “Vështirë është të ndryshojë orientimi i remitencave kah investimet për shkak se Kosova ka një ambient jo të përshtatshëm ekonomik, karshi konkurrencës që vjen nga vendet e rajonit. Vendet tjera si Maqedonia deri në 49 për qind të investimeve i mbulon shteti, Serbia po ashtu e ka bërë një pako për investitorët e huaj që është mjaft konkurrente, e që Kosova nuk ka bërë shumë në këtë drejtim”, tha Shahini Ndryshe, nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës. të cilët i janë përgjigjur regjistrimit, është rreth 350 mijë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Arrestime për vrasje dhe tentim-vrasje të zyrtarëve të UNMIK-ut Posted: 05 Jul 2017 06:50 AM PDT

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe ata të EULEX-it kanë arrestuar të mërkurën katër persona, nën dyshimet se janë të përfshirë në vrasjen e dy zyrtarëve të UNMIK-ut dhe tentim-vrasjen e dy të tjerëve në vitin 2004. Me urdhër të gjykatësit janë arrestuar dy persona, ndërsa dy të tjerët janë arrestuar nga policia për shkak të posedimit të paligjshëm të armëve, bëri të ditur Prokuroria e Kosovës. Në njoftim u tha se gjatë ditës, autoriteteve kosovare do t’iu dorëzohet edhe një person nga një shtet tjetër, por nuk u bë i ditur identiteti i tij dhe as vendi nga ku do të ekstradohet. Në aksionin e sotëm kanë marrë pjesë 35 policë të EULEX-it dhe 100 pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Aksioni është zhvilluar në disa lokacione.  This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Maqedoni: Prokuror i ri shtetëror, jashtë kontrollit të politikës Posted: 05 Jul 2017 05:41 AM PDT

Rastet e fundit të gjyqësorit në Maqedoni, i cili refuzoi të gjitha kërkesat e Prokurorisë Speciale për paraburgimin e dhjetëra zyrtarëve të ish-qeverisë së kryeministrit, Nikolla Gruevskit ndaj të cilëve janë ngritur padi penale për shpërdorim të detyrës, edhe një herë sipas ekspertëve juridikë shtron nevojën për reforma urgjente në sistemin e drejtësisë. Vlerësimet e tyre vijnë lidhur me debatin në Kuvendin e Maqedonisë për shkarkimin e Prokurorit Publik, Marko Zvërlevski, i kritikuar për ndërhyrje në pavarësinë e gjykatave ndërsa ishte pjesë edhe e bisedave të përgjuara telefonike të publikuar nga opozita. “Me përjashtime shumë të vogla, pjesë dërrmuese e prokurorëve të deritanishëm kanë qenë dëgjues të mirë të pushtetit dhe çdonjëri prej tyre deri në shkarkimin nga detyra nuk e kanë pranuar këtë fakt. Një viktimë e likuidimit politik jam edhe unë. Prokurorët kanë qenë dhe janë të ndikuar nga politika. Ky është fakt që assesi nuk mund të mohohet. Këtë e dëshmon gjendja në të cilën ndodhet gjyqësori i përballur me kritika nga më të ndryshme, si brenda ashtu edhe jashtë vendit”, thotë Aleksandar Nakov, njohës i çështjeve juridike, duke shtuar se prokurori i ri duhet të jetë para se gjithash një personalitet jopolitik, profesionist dhe i respektuar në opinion. Vetëm me kuadro të tillë, thotë Nakov mund të flasim për një proces të mirëfilltë për kthimin e besimit në gjyqësor. “Prokuror publik duhet të jetë një personalitet me një ego shumë të fuqishëm, luftëtar i pa kompromis kundër kriminalitetit, personalitet i pa ndikuar nga politika, apo që zgjedhja e tij nuk do të jetë objekt i kalkulimeve apo pazareve politike”, thotë Nakov. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Dane Iliev, thotë se gjyqësori është në gjendje të mjerueshme për shkak të ndërhyrjes brutale të politikës në pavarësinë e tij. Ai thotë se prokurorët e deritanishëm më shumë janë kujdesur të plotësojnë dëshirat e partive në pushtet, se sa të punojnë në vendosjen e drejtësisë. “Ata i janë ofruar garniturave politike që i kanë zgjedhur për Prokuror Publik, dhe në këtë kuadër kanë punuar për atë që është në interes të asaj garniture apo kreut të politikës ,ndërsa kjo nuk ka sjellë asnjë rezultat në punën e tyre, e që është interes i publikut”, thotë Iliev. Disa nga ekspertët juridikë thonë se përveç shkarkimit nga detyra, Kuvendi duhet të kërkojë edhe përgjegjësi nga kush do qoftë që gjatë mandatit të tij ka bërë shkelje ligjore. “Nuk mundet që dikush që ketë ushtruar funksionin e prokurorit për dhjetë vite me radhë dhe të ketë bërë shkelje të shumta dhe të mos i nënshtrohet përgjegjësisë për atë që ka bërë. Prandaj, vlerësoj se Kuvendi duhet të gjejë forma që jo vetëm të emërojë dhe shkarkojë prokurorë, por paralelisht të ketë edhe një lojë të përgjegjësisë”, thotë Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Tetovë. Prokurori i ri do të zgjidhet përmes një konkursi të hapur, ndërsa deri në votimin e tij në Kuvend do të ketë edhe debate publike lidhur me nevojën e depolitizimit të gjyqësorit,i cili deri më tani është përballur me kritika të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Astana: Vazhdojnë bisedimet për paqe në Siri Posted: 05 Jul 2017 05:33 AM PDT

Diplomatë nga Rusia, Irani, Turqia dhe SHBA kanë vazhduar në Astana, raundin e pestë të bisedimeve për paqe në Siri, me përfaqësues të qeverisë sirianedhe të grupeve opozitare. Ministria e Jashtme e Kazakistanit, ka thënë se gjatë ditës së dytë po marrin pjesë edhe disa delegatë nga opozita e armatosur e Sirisë. Shefi negociator nga Rusia, Aleksandr Lavrentyev, është takuar gjatë ditës me delegatët e opozitës së armatosur. Lavrentyev ka thënë se dëshiron të dëgjojë nga kjo palë “se si mendojnë që të arrihet një marrëveshje” me presidentin sirian Bashar al-Assad dhe “si të ulen tensionet”. I dërguari special i Rusisë për paqen në Siri, Lavrentyev, ka thënë, se pas një serie të takimeve në Astana, Moska mund të vendosë forcat e saj ushtarake për të kontrolluar kufinjtë e zonave të sigurta në Siri. Ai ka shtuar se kjo mund të ndodhë brenda dy ose tri javëve, pas finalizimit të një marrëveshjeje me Turqinë dhe Iranin. Moska, Ankaraja dhe Teherani kanë ende çështje për të cilat duhet të pajtohen, ka thënë diplomati rus, Lavrentyev duke shtuar se “gjithçka do të diskutohet”. Në të njejtën kohë, një përfaqësues i opozitës siriane, ka thënë në Astana, se opozita e armatosur nuk pajtohet me propozimin që ushtria e Iranit të monitorojë zonat e sigurta sepse forcat iraniane janë luftëtarë të armatosur, të cilët luftojnë në anën e trupave të qeverisë siriane. “Jo, ne nuk pajohemi”. “E gjithë opozita nuk pajtohet me prezencën e forcave iraniane”, ka thënë Yaher Abdrahim. Bisedimet në Astana, të inicuara nga Rusia, Irani dhe Turqia, janë të ndara prej negociatave të OKB-së në Gjenevë. Militantët e Shtetit Islamik nuk kanë qenë pjesë e takimeve në Astana dhe Gjenevë, për arritjen e paqes në Siri. Shteti Islamik ka humbur pjesë të mëdha të territorit sirian të cilat i ka kontrolluar për disa vite. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Merkel takon presidentin e Kinës Posted: 05 Jul 2017 04:57 AM PDT

Presidenti kinez, Xi Jinping është takur në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel, në kuadër të takimeve diplomatike para fillimit të samitit të grupit G20 që do të mbahet gjatë datave 7-8 korrik në Hamburg. Xi ka thënë në Berlin se ka nisur ” një fazë të re” e marrëdhënieve në mes të Kinës dhe Gjermanisë. Merkel ka thënë se do të dëshironte “hapjen e një tregu të përbashkët” me Kinën. Kancelarja po ashtu ka thënë se Gjermania mund të bashkëpunojë më Kinën në projektet rreth Afrikës dhe Afganistanit. Presidenti kinez, Xi, i cili ka arritur në Gjermani pas takimeve në Moskë, është përcjellur me nderime ushtarake nga presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, para fillimit të bisedimeve me kancelaren Merkel. Presidenti Xi dhe kancelarja Merkel do të jenë pjesë ë samitit të G20 që do të mbahet në Hamburg të Gjermanisë. Të dy palët pritet të diskutojnë për një varg çështjesh së bashku me liderët botëror, duke përfshirë politikat mbi ndryshimet klimatike, tregun botëror, luftimin e terrorizmit, dhe zhvillimin e armëve bërthamore në Korenë e Veriut. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Trump promovon gazin amerikan në Evropë Posted: 05 Jul 2017 04:48 AM PDT

Përpara se të shkojë në Gjermani për samitin e G20-ës (grupit të vendeve më të industrializuara), presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të ndalojë të enjten në Poloni, për të promovuar eksportet e gazit amerikan. Trump do të ndjekë Samitin e Nismës së Tre Detërave dhe do të takojë udhëheqës të Evropës qendrore dhe lindore – vendet e të cilave kufizohen me Detin e Zi, Adriatik dhe Baltik. Të gjitha këto vende planifikojnë të reduktojnë varësinë nga importet e gazit rus.(RFE/RL, AP, Reuters, YouTube)This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Konkurs për punësim në Radion Evropa e Lirë Posted: 05 Jul 2017 04:41 AM PDT

Radio Evropa e Lirë kërkon gazetarë të medias digjitale. Klikoni vegëzat më poshtë për të mësuar më shumë rreth Njësive të Medias Digjitale të REL-it dhe aplikoni! ~ https://www.rferl.org/jobs/detail/BSSBX01-1701.html ~ https://www.rferl.org/jobs/detail/BSSBX02-1701.html ~ https://www.rferl.org/jobs/detail/BSSBX03-1701.html ~ https://www.rferl.org/jobs/detail/BSSBX04-1701.html   This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Osmani: LDK-ja e hapur për bisedime me Vetëvendosjen, por edhe me AAK-në e Nismën Posted: 05 Jul 2017 03:29 AM PDT

“Kemi zhvilluar një takim inicial me grupin parlamentar të LDK-së ku unanimisht është vendosur që nuk do të ketë koalicion me PDK-në apo me PAN-in. Po ashtu është thënë që LDK-ja do të jetë e hapur për të diskutuar me Vetëvendosjen, por edhe me AAK-në dhe Nismën, në qoftë se ato shkëputen nga PDK-ja”, thotë Vjosa Osmani, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe femra më e votuar në zgjedhjet e 11 qershorit. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Osmani flet edhe në lidhje me mundësinë që ajo të marrë postin e kryetares së LDK-së. Radio Evropa e Lirë: Zonja Osmani, ku e shihni Lidhjen Demokratike të Kosovës pas zgjedhjeve të 11 qershorit, në koalicion me PAN-in, Vetëvendosjen apo në opozitë? Vjosa Osmani: Votuesi i LDK-së, tash më shumë se çdo herë tjetër ka qenë i qartë, në raport me secilin prej nesh se e kundërshton çdo lloj bashkëpunimi me PDK-në, dhe rrjedhimisht edhe me një koalicion ku bën pjesë PDK-ja, që në këtë rast është koalicioni PAN. Pra, absolutisht asnjë anëtar i LDK-së, qoftë në lidership, qoftë anëtar i thjeshtë, nuk ka mandat që të negociojë me PAN-in ose PDK-në dhe nuk ka mandat që të arrijë marrëveshje koalicioni me këtë parti, e cila e ka dëshmuar, për vite me radhë, në fakt që nga ekzistenca e saj, që është kundërshtari ynë kryesor politik dhe është e pamundur që të arrihen suksese evidente në një koalicion me një parti të tillë. Prandaj, përgjigja e qytetarëve në raport me LDK-në ka qenë e qartë dhe nuk ka mënyrë që do të mund të arsyetohej çfarëdo koalicioni me PDK-në apo me PAN-in. Pra, kjo është tërësisht e përjashtuar. Sa u përket opsioneve të tjera, besoj që brenda dy-tre ditësh do të ketë certifikim final të rezultateve. Tashmë kemi pasur një takim inicial me grupin tonë parlamentar dhe përveç që unanimisht është vendosur që nuk do të ketë koalicion me PDK-në apo me PAN-in, po ashtu është thënë që LDK-ja do të jetë e hapur për të diskutuar me Vetëvendosjen, por edhe me AAK-në dhe Nismën, në qoftë se ato shkëputen nga PDK-ja. Cili do të ishte rezultati final i bisedave të tilla për formimin e Qeverisë është herët të thuhet. LDK-ja e ka një program si anëtare e Partive Popullore Evropiane, brenda kornizave të të cilit patjetër duhet të qëndrojë, shkaku i ideologjisë si parti e qendrës së djathtë dhe ka një program qeverisës për të cilin patjetër që do të insistojë që të realizohet, pa marrë parasysh se a po flasim me VV-në, AAK-në apo Nismën. Dhe, me cilëndo nga këto që do të mund të ketë përafrime më të mëdha programore, natyrisht që shanset do të jenë më të mëdha për qeverisje. Tani, ka një numër të madh të njerëzve brenda LDK-së, që preferojnë që LDK-ja të qëndrojë në opozitë dhe të përqendrohet në reforma gjatë këtyre viteve. Mirëpo, për shkak të konstelacioneve të numrave tani në Kuvend, LDK-ja natyrisht që duhet të angazhohet pozitivisht që të bisedojë edhe me VV-në, por në qoftë se AAK-ja dhe Nisma shkëputen nga PDK-ja edhe me ato të shihet se cila do të jetë mundësia që LDK-ja të ketë një rol të rëndësishëm në hapjen e rrugëve të Kosovës, qoftë në Bashkimin Evropian në përgjithësi në perspektivën e saj euro-atlantike. Pra, për momentin nuk ka përgjigje përfundimtare se cili do të jetë rezultati apo epilogu i bisedimeve me Vetëvendosjen apo potencialisht me AAK-në dhe Nismën, në qoftë se shkëputen nga PDK-ja, por si mundësi ekzistojnë. Radio Evropa e Lirë: Mbi bazën e cilave kritere apo kushteve politike LDK-ja do të përfshihej në një koalicion të ri qeverisës? Vjosa Osmani: Siç e thash, primare për LDK-në është që të respektohen prioritetet programore, që LDK-ja tashmë i ka ndërtuar për vite me radhë, e jo vetëm gjatë kësaj fushate dhe gjatë këtyre zgjedhjeve, sepse janë prioritete qeverisëse dhe janë korniza programore që janë ndërtuar së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë pjesë e Partive Popullore Evropiane. Ato janë prioritete qeverisëse që ne besojmë fuqishëm që do ta çojnë Kosovën përpara dhe i hapin rrugët e Kosovës. Prandaj, këto janë kriteret tona dhe duhet të shikohet se sa do të mund të arrihet pajtim me Vetëvendosjen apo edhe me AAK-në dhe Nismën, për këto prioritete. Natyrisht që çështjet tjera pastaj shumë më letë mund të determinohen, në qoftë se ka pajtim për programin dhe orientimet e tjera qeverisëse. Radio Evropa e Lirë: Parashihni krizë eventuale sa i përket formimit të institucioneve të reja, sidomos të Qeverisë? Vjosa Osmani: Krijuesi i krizës këtu mund të jetë vetëm presidenti i vendit [Hashim Thaçi], i cili fatkeqësisht po e keqinterpreton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë që vetëm fituesi i zgjedhjeve mund të mandatohet edhe në qoftë se dështon për herë të parë. Në fakt, vendimi i Gjykatës është i qartë dhe në qoftë se koalicioni PAN, si fitues i zgjedhjeve dështon të krijojë numrat në përpjekjen e parë, atëherë Presidenti e ka obligim kushtetues që mandatin t’ia jap cilësdo parti e cila i ka 61 deputetë pas vetes, e jo domosdoshmërish vetëm fituesit të zgjedhjeve dhe në qoftë se ata nuk kanë më shumë se 59 deputetë, siç është dëshmuar deri më tani. Pra, në qoftë se Presidenti i vendit dëshiron të vazhdojë të shkelë funksionin e vet si garantues i unitetit qytetar dhe të funksionimit të institucioneve, atëherë mund të vazhdojë ta bëjë këtë sepse fatkeqësisht po e ka të pamundur të zhveshë petkun e tij partiak. Megjithatë, natyrisht se do të përballet me kërkesat e deputetëve për të interpretuar një shkelje të tillë kushtetuese. Pra, besoj që është e qartë, që në qoftë se koalicioni PAN dështon për herë të parë, atëherë Presidenti patjetër duhet ta mandatojë këdo që i ka 61 deputetë të nënshkruar, dhe nuk do të kishte krizë në një rast të tillë. Radio Evropa e Lirë: Marrë parasysh rezultatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit, a konsideroni se LDK-ja duhet t’i nënshtrohet tash një procesi të ri të reformave dhe të udhëheqjes së saj? Vjosa Osmani: Procesi i reformave është i vazhdueshëm dhe kushdo që e mendon se ai mund të kryhet brenda dy-tri vjetësh e ka gabim. Unë jam në favor të një procesi të reformave që fillon nga poshtë, nga baza, nga nëndegët, që vazhdon në degë dhe në fund e përfshinë edhe lidershipin e LDK-së, sepse kjo është e vetmja mënyrë që ato reforma të jenë substanciale dhe të jenë të pranuara nga qytetarët sepse kjo do të thotë që po dëgjohet baza, po dëgjohet elektorati ynë. Çfarëdo injorimi i zërit të qytetarëve, çfarëdo injorimi i asaj që e kërkon baza, natyrisht që e dëmton LDK-në. Kur saktësisht me datë, nuk është me rëndësi, kur ndodhin ndryshimet. Me rëndësi është që ato kur të ndodhin, të ndodhin ashtu si duhet. Prandaj, unë tani jam në kontakt të përditshëm me nëndegët, me strukturat tona, për të parë se çka saktësisht po kërkon elektorati i LDK-së, sa i përket reformave dhe konfrom kërkesave të tyre do të duhej të silleshim. Radio Evropa e Lirë: Sa jeni ju e gatshme të merrni timonin e udhëheqjes së LDK-së? Vjosa Osmani: Sikur çdo herë tjetër që e kam thënë, e tëra që unë duhet ta përsëris është që nuk ka rëndësi posti që e kam, me rëndësi është që unë të jem pjesë e një procesi të ndryshimeve pozitive dhe reformave të thella në LDK. Për këtë jam angazhuar për vite me radhë dhe për këtë do të vazhdoj të angazhohem pavarësisht pengesave që do të jenë. Tek e fundit, nuk është me rëndësi emri dhe mbiemri i kryetarit të partisë, me rëndësi është që LDK-ja të rikthehet si fuqi e parë në vend, dhe për këtë unë do ta jap kontributin tim, pavarësisht pozitës që e kam. Radio Evropa e Lirë: Do të thotë që jeni e gatshme të udhëhiqni LDK-në? Vjosa Osmani: Unë jam e gatshme që të vazhdoj të jem anëtare e devotshme e LDK-së, ashtu siç kam qenë deri më tani dhe të bëhem pjesë e cilitdo ekipi që e ka seriozisht procesin e reformave. Radio Evropa e Lirë: Vetëm pjesë e ekipit apo të udhëhiqni një ekip, një parti, në këtë rast LDK-në? Vjosa Osmani: Cilindo rol që e kërkon baza, që e kërkon elektorati dhe që do ta çonte LDK-në drejt kthimit si fuqi e parë politike në vend. Radio Evropa e Lirë: Dhe, ju do të mund ta bëni një gjë të tillë? Vjosa Osmani: LDK-ja për ta bërë një gjë të tillë duhet ta merr seriozisht secilin anëtar të vet edhe në qoftë se ai anëtar pas vetes e ka vetëm një votë. Duhet t’i bashkojë të gjitha fuqitë, duhet t’i bashkojë të gjitha gjeneratat, mos të ketë logjikë përjashtuese por logjikë të bashkimit dhe atëherë besoj se qytetarët do ta shihnin fuqinë e vërtetë të LDK-së. Radio Evropa e Lirë: Këto çështje që që i përmendët, po ndodhin apo jo në LDK? Vjosa Osmani: Po ndodhin në disa raste. Në disa raste nuk është e kënaqshme mirëpo secili prej nesh do të duhet të jap kontribut që në të vërtetë gjithëpërfshirja të jetë sa më prezent, në të gjitha degët e LDK-së, që njerëzit të mos ndihen të përjashtuar dhe siç e thash, pavarësisht gjeneratave, të ketë një kohezion, një bashkim të brezit të pavarësisë dhe brezit të republikës dhe vetëm atëherë ndaj LDK-së do të kthehej besimi, që qytetarët e kanë pasur në të kaluarën. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Afganistan: Gjashtë persona vdesin nga bomba rrugore Posted: 05 Jul 2017 03:18 AM PDT

Zyrtarët afganë kanë thënë se gjashtë civilë janë vrarë nga një bombë rrugore në perëndim të provincës Farah. Zëdhënësi i qeverisë për provincën e Farahut, Mohammad Naser Mehri, ka thënë se bomba ka shpërthyer në disktriktin Shiba Koh, derisa viktimat ishin duke udhëtuar me furgon. Mehri ka njoftuar se disa nga viktimat kanë qenë fëmijë. Ai po ashtu ka thënë se gjashtë persona të tjerë janë lënduar nga shpërthimi. Bombat e krijuara në kushte shtëpiake dhe minat, janë faktori i dytë dominant i viktimave të civilëve në Afganistan. Gjatë vitit 2016, këto bomba kanë vrarë dhe kanë lënduar të paktën 2,156 burra, gra dhe fëmijë në Afganistan. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Të dyshuarit për rrëzimin e aeroplanit MH17 do të gjykohen në Holandë Posted: 05 Jul 2017 02:25 AM PDT

Ministria e Jashtme e Holandës ka njoftuar se të dyshuarit për rrëzimim e aeroplanit të kompanisë Malaysia Airlines MH17 në lindje të Ukrainës, do të ndiqen penalisht nga një gjykatë holandeze. Në njoftimin e kësaj ministrie nuk u përmendën emrat e të dyshuarve në tragjedinë e 17 korrikut të vitit 2014, në të cilën mbetën të vrarë 298 persona nga 17 shtete të ndryshme. Mirëpo gjatë një hulumtimi ndërkombëtar të vitit 2016, thuhet se aeroplani MH17 u rrëzua nga një raketë e ashtuquajtuar Buk, e cila ishte lëshuar prej një territori të kontrolluar nga separatistët në lindje të Ukrainës. Ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders, ka thënë se vendimi për ndjekje penale në një gjykatë holandeze është marrë nga shtetet që kanë qenë pjesë e hetimeve të përbashkta për rrëzimin e aeroplanit. Në mesin e këtyre vendeve përfshihen, Australia, Begjika, Malajzia, Ukraina, dhe Holanda. Koenders ka thënë se këto shtete do të vazhdojnë bashkëpunimin gjatë ndjekjes penale dhe gjykimi do të përfshijë të gjitha viktimat. Ekipi i Përbashkët Hetues (JIT) që ka kryer hulumtimin ndërkombëtar ka gjetur se raketa e ashtuquajtur Buk është sjellur nga Rusia në Ukrainë pak para se të rrëzohej aeroplani MH17. Rusia i ka mohuar përfundimet e këtij ekipi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Maiziere: Rusia do të përpiqet të ndikojë në zgjedhjet gjermane Posted: 05 Jul 2017 01:25 AM PDT

Gjermania pret që Rusia të provojë të ndikojë në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në shtator, duke synuar humbjen e  besimit në demokracinë e Gjermanisë dhe jo me ndonjë tendencë për promovimin e ndonjë kandidati, kanë thënë disa zyrtarë gjermanë. Ministri i Punëve të Brendshme, Thomas de Maiziere, ka thënë në një konferencë, se Berlini është duke u mobilizuar për dy sulme të cilat lidhen me lajme të rreme që supozohet të jenë orkestruar nga Moska. “Ne kemi parë një ndikim të mundshëm të zgjedhjeve në Amerikë, dhe të atyre në Francë”, ka thënë ai. “Kemi arsye të forta për të besuar se këto lëvizje kanë ardhur nga Rusia andaj nuk mund të përjashtojmë mundësinë se do të ketë tentime të tilla edhe në zgjedhjet e Gjermanisë”. De Maiziere ka thënë se pret ” një kampanjë klasike të dezinformimit me gënjeshtra dhe të gjysmë  të vërteta, me qëllim të krijimit të një opinioni publik. Ai ka thënë se këta hapa mund të përcjellen me profile të rreme në rrjete sociale. “Gjëja e vetme që mund të na ndihmojë është qetësia, zbulimi i së vërtetës dhe prezantimi i fakteve”, ka shtuar Maiziere. Rusia mohon në vazhdimësi ndikimin në zgjedhjet jashtë Rusisë. Hans-Georg Maassen, presidenti i agjencisë së Intelegjencës në Gjermani, ka thënë se derisa ende nuk është e qartë se cili është qëllimi kryesor i Rusisë në zgjedhjet gjermane, ai ka supozuar se presidenti rus Vladimir Putin do të preferonte dikë tjetër në vend të kancelares gjermane, Angela Merkel. Merkel, e cila mbështet sanksionet kundër Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë, ëshë duke kërkuar mandatin e saj të katërt në zgjedhjet e 24 shtatorit. Maassen ka shtuar se sistemi i votimit në Gjermani ka më pak mundësi të jetë cak i sulmeve, pasi votimi në këtë vend është më i shprehur përmes votës në letër, në krahasim me votën elektronike. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Kinë: Specialistë jashtë vendit ftohen për trajtimin e laureatit të Nobelit Posted: 05 Jul 2017 12:53 AM PDT

Kina ka thënë të ketë ftuar specialistë të kancerit të mëlçisë nga SHBA-ja dhe Gjermania që t’i bashkohen ekipit mjekësor i cili po trajton Laureatin kinez të Çmimit Nobel për Paqe, Liu Xiaobo. Liu u diagnostikua me kancer, muajin e kaluar dhe u lirua nga burgu me kusht, me kërkesën e mjekut. Liu, 61 vjeçar, i njohur më së shumti i si burgosur politik, është duke u trajtuar në një spital në Sheniang. Pas rritjes së kritikave për trajtimin e Lius, Kina ka angazhuar një ekip prej tetë specialistësh kinezë që të mbikqyrin gjendjen e tij. Qeveritë e tjera jashtë vendit dhe mbështetësit e nobelistit i kanë bërë thirrje Bejingut që Liu të lirohet dhe më pas ai të vendos i pavarur se ku dëshiron të vazhdojë trajtimin. Liu është burgosur për 11 vite më 2009 për siç është thënë, angazhim në aktivitete për të përmbysur qeverinë. Në vitin 2010, atij i është ndarë Çmimi Nobel për Paqe. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Fëmijët dhe të miturit më të rrezikuarit nga trafikimi Posted: 05 Jul 2017 12:27 AM PDT

Viktimat e trafikimit të identifikuara në Kosovë u takojnë moshave nën 18 vjeç. Nga 36 viktima të trafikimit, sa janë identifikuar gjatë vitit të kaluar nga ana e autoriteteve të rendit, mbi 60 për qind e tyre, thuhet se janë nën moshën madhore. Këto të dhëna i ka konfirmuar majori Fehmi Gjata, drejtor i Drejtorisë për hetime kundër trafikimit me qenie njerëzore në Policinë e Kosovës. Nën dyshimet për përfshirje në trafikim me qenie njerëzore, janë arrestuar 202 persona, prej të cilëve 31 veta tashmë janë identifikuar si trafikues me qenie njerëzore. “Janë evidente rezultatet pozitive, pasi Policia ka paraparë strategji në kuadër të planit të vet zhvillimor, luftimin e trafikimit me njerëz. Referuar vlerësimeve, konsiderohet se trafikimi ndodh për shkak të braktisjes së shkollimit, kushteve të vështira ekonomike dhe moskujdesit të duhur prindëror”, thotë Gjata. Sipas Gjatës, ndër viktimat dominon mosha e re prej 14 deri 18 vjet. Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin vjetor për trafikimin e qenieve njerëzore ka potencuar se Qeveria e Kosovës nuk i ka përmbushur plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me njerëz, ndonëse, siç thuhet në raport, ‘po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim’. Raporti thekson se Qeveria e Kosovës, krahasuar me periudhën e mëparshme raportuese, ka identifikuar më shumë viktima dhe ka ndjekur dhe dënuar më shumë trafikues. Në anën tjetër, përfaqësuesja e Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Njerëz, Hamijete Dedolli tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova është vend origjine dhe destinacioni, kur flitet për trafikimin. Sipas saj, ka një përqindje mjaftë të lartë të trafikimit të femrave të moshës 14 deri në 18 vjeç. Ajo thekson po ashtu se shërbimet për viktima të trafikimit nuk janë të qëndrueshme, gjë që e bën sfiduese problematikën. “Shërbimet sociale dhe të rehabilitimit po mungojnë dhe nuk janë të qëndrueshme. Programet e riintegrimit dhe rehabilitimit po rrezikohen të shuhen në mungesë mjetesh. Programet janë të kushtueshme, si me përkushtim, staf, financa, trajnime profesionale , hapjen e ndonjë biznesi të vogël për viktimat e të tjera. Por, mungesa e mjeteve financiare po e sfidon punën tonë si qendër”, shprehet Dedolli. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, sipas Dedollit ndanë mjete financiare, por të cilat janë të pamjaftueshme, marrë parasysh numrin e viktimave. “Aktualisht kemi përkrahje nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por nuk mjafton. Numri i viktimave variron, aktualisht kemi katër viktima që qëndrojnë në qendër, derisa gjatë ditës frekuentojnë shumë nga to dhe varësisht nga nevoja që kanë, qoftë të marrin shërbime nga psikologu, rehabilitim apo shërbime tjera”. “Përkrahja, mendoj që duhet rritur nga Qeveria, pasi projektet e tilla nuk duhet të varen nga donacionet, por të jenë të qëndrueshme dhe të përkrahura nga shteti”, thotë Dudolli. Edhe për Koalicionin e Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve mbetet shumë shqetësues numri i viktimave të trafikimit me fëmijë, ku nga 36 rastet e identifikuara, 18 prej tyre janë fëmijë. Ata thonë se sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Qeveria e Kosovës nuk përmbushë nivelin minimal të standardeve për eliminimin e trafikimit. Gjykatësit, thuhet në raport, shqiptuan dënime të buta ndaj trafikantëve të dënuar dhe prokurorët vazhduan t’i trajtojnë rastet e trafikimit si krime më të vogla. Por, autoritetet e rendit thonë se kanë punuar shumë në parandalimin e trafikimit me njerëz, duke specifikuar arrestimin dhe dënimin e kryesve të veprave penale. Majori Fehmi Gjata thotë se aktivitetet parandaluese mbeten prioritet i Policisë së Kosovës. “Efikasiteti dhe efektiviteti i Policisë së Kosovës është rritur, bazuar në statistikat në identifikimin dhe ndjekjen e rasteve penale dhe dërgimin në Prokurori me kallëzim penal”, thotë Gjata. Sido që të jetë, luftimi i dukurisë së trafikimit besohet se do të intensifikohej sikur Policia e Kosovës të ishte anëtare e mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë, siç janë INTERPOL-i dhe EUROPOL-i.  This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Ukrainë: Parandalohet sulmi i dytë kibernetik Posted: 05 Jul 2017 12:23 AM PDT

Policia ukrainase për kibernetikë ka bllokuar sulmin e dyte kibernetik kundër Ukrainës, ka thënë ministri i Brendshëm i Ukrainës, Arsen Avakov. Ekspertët janë ende duke kërkuar se kush ka qenë mrapa sulmeve të javës së kaluar, të cilat kanë sulmuar shumë sisteme kompjuterike të kompanive të mëdha në të gjithë botën. Zyrtarë të Intelegjencës ukrainase kanë thënë, se disa nga fazat fillestare të sulmit kishin nisur nga shpërndarja e virusit nga kompania M.E. Doc. Pronarët e kësaj kompanie i kanë mohuar akuzat. Avakov ka thënë përmes rrjetit social Facebook se policia për kibernetikë ka bllokuar aktivitetin e adresave elektronike nga serverët e kompanisë M.E. Doc.   This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Hiqet ndalesa e laptopëve për fluturimet nga Turqia në SHBA Posted: 04 Jul 2017 11:30 PM PDT

Agjencia e lajmeve turke Dogan ka njoftuar se është hequr ndalimi për pajisjet elektronike siç janë laptopët, gjatë fluturimeve në mes të Turqisë dhe SHBA-së. Kjo agjenci ka njoftuar se pasagjerët e linjës Turkish Airlines kanë udhëtuar me pajisje të tilla elektronike nga aeroporti i Stambollit në atë të Nju Jorkut. Ndalimi i pajisjeve elektronike është hequr po ashtu edhe për fluturimet nga aeroporti i Abu Dabit në Emiratet e Bashkuara. Ky ndalim ishtë vendosur nga administrata e presidentit Trump në mars të këtij viti. Ndalimi vlen ende për disa shtete të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. Në këto vende përfshihen, Jordania, Egjipti, Arabia Saudite, Maroku dhe Katari. Gjatë muajit maj presidenti Trump i prezantoi Kremlinit informacion të klasifikuar të intelegjencës, i cili njoftonte se militantët e grupit ekstremist Shteti Islamik, kanë planifikuar përdorimin e laptopëve gjatë sulmeve të tyre terroriste, duke shënjestruar zyrtarët rusë gjatë udhëtimit të tyre në SHBA. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now
Reklama