Home » Dashuro!

Dashuro!

ASDRENI

Shëko lisi si flet
Fjalë t’ëmbla si ushton,
Degët unj e thërret
Dashuro, se koha shkon!

Maj’ e plepit gjithënje,
Kur tunt kryet qorton,
Përpjek fletë çon zë
Djalë ç’pret e s’dashuron!

Er’ e malit me një ushtim
Dhe mburimi kullon,
Gjithë thonë plot gëzim:
Dashuro, se koha shkon!

Kopështit vasha po pret
Si zog pylli këndon,
Buzëqeshur thërret,
Djalë ç’pret e s’dashuron!

Mua zemëra gjith rreh
Brenda gjaku valon
Ma ndes mallin me ve re
Dashuro, se koha shkon!

Çdo gjë rrotull pyet
Djalë ç’pret e s’dashuron
Ditët shkojn, jeta shket
Dashuro, se koha shkon!

The post Dashuro! appeared first on KultPlus.

Reklama